Ka kohë që prindërit nuk janë burimi i vetëm i edukimit për fëmijët.
Dikur fëmija shikonte nënën, babain ose gjyshin dhe mësonte.
Sot, shpesh mësuesi i parë është ekrani.
Ne kemi hyrë në një epokë ku telefoni është bërë “kujdestar” i heshtur.
Kur fëmija qan ne i japim telefonin.
Kur është i mërzitur ne i japim telefonin.
Kur duam pak qetësi, po, prapë i japim telefonin.
Ekrani e mëson qysh me qeshë, qysh me reagu, e qysh me fol, madje edhe qysh me mendu.
E bash këtu është problemi: telefoni nuk e njeh fëmijën. Ai nuk ka dashuri, nuk ka ndjesi, nuk di të lexojë sytë e tij. Ai vetëm jep përmbajtje pa filtrin e kujdesit, pa ndjenjën e përgjegjësisë.
Në shumë familje, komunikimi po bëhet luks.
Fëmijët po mësojnë më shumë nga YouTube sesa nga bisedat në mbramje.
Po mësojnë si të respektojnë nga TikTok-u, e jo nga prindi.
Dhe në këtë heshtje që po mbulon shtëpitë tona, po humbim diçka thelbësore: lidhjen njerëzore.
Nuk po them që teknologjia është e keqe.
Ajo është mjet, por vetëm nëse përdoret si duhet.
Kur prindi e përdor për të ndihmuar, për të edukuar, për të bashkëbiseduar, ajo është e mrekullueshme.
Por kur teknologjia zë vendin e prindit, ajo bëhet rrezik.
Fëmijët kanë nevojë të vlerësohen, jo vetëm të argëtohen.
Kanë nevojë për përqafim më shumë se për ekran.
Dhe ndoshta, pyetja që duhet ta bëjmë secili prej nesh është kjo:
Sa minuta në ditë i flasim fëmijës sonë, e sa minuta përdorim telefonin?
Sepse, në fund, edukimi nuk ndodh në fjalë, ndodh në shembull.
Dhe shembulli më i fortë që fëmija sheh, jemi ne.